Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, kanë vizituar Termocentralin “Kosova B”, ku kanë parë nga afër punimet për instalimin e elektrofiltrave dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (DeNOx).
Projekti, që përfshin njësitë B1 dhe B2, financohet nga Bashkimi Evropian me afro 84 milionë euro dhe synon përmirësimin e ndjeshëm të performancës mjedisore të termocentralit, përmes uljes së emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit.
Punimet në B1 pritet të përfundojnë në nëntor
Ndërhyrjet në njësinë B1 kanë nisur në prill të vitit 2026, ndërsa përfundimi është planifikuar për nëntor të këtij viti. Punimet në njësinë B2, sipas planifikimit, pritet të fillojnë në prill të vitit 2027.
Ministria e Ekonomisë ka kërkuar nga kontraktori dhe Bashkimi Evropian, si autoritet kontraktues, që të bëjnë përpjekjet maksimale për përfundimin e projektit brenda afateve të përcaktuara.
Rikthimi me kohë në funksion i njësisë B1 konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë dimrit, kur kërkesa për energji rritet ndjeshëm.
Gjatë vizitës, Rizvanolli theksoi rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të punimeve dhe të trajtimit pa vonesa të çdo pengese që mund të ndikojë në realizimin e projektit.
Elektrofiltrat synojnë uljen e ndotjes deri në 18 herë
Sipas objektivave të projektit, instalimi i pajisjeve të reja synon të ulë përqendrimin e pluhurit në gazrat dalëse në 20 mg/Nm³, ndërsa atë të oksideve të azotit në 200 mg/Nm³.
Kjo nënkupton ulje deri në 18 herë të përqendrimit të pluhurit dhe rreth tri herë të oksideve të azotit, krahasuar me nivelet e përmendura në projekt.
Investimi synon të përmirësojë standardet mjedisore të “Kosovës B”, duke kontribuar në reduktimin e emetimeve nga prodhimi i energjisë elektrike.
Rizvanolli dhe Schuebel diskutojnë edhe reformat energjetike
Gjatë takimeve të kësaj jave, ministrja dhe ambasadori kanë diskutuar edhe për reformat në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.
Në fokus ishte edhe Projektligji për Rregullatorin e Energjisë, i cili ishte në konsultim publik deri më 5 nëntor. Palët e interesuara janë ftuar të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre.
Sipas njoftimit, miratimi i këtij ligji lidhet me përmbushjen e një kushti të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 6.26 milionë euro.
Mbi 200 mijë familje përfituan nga mbështetja e BE-së
Rizvanolli dhe Schuebel kanë vlerësuar gjithashtu rezultatet e bashkëpunimit të deritanishëm në sektorin e energjisë, përfshirë Pakon e Mbështetjes për Energjinë, në vlerë prej 75 milionë eurosh, përfundimi i së cilës u shënua më 16 tetor.
Nga kjo pako kanë përfituar mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë.
Në fund, të dyja palët kanë rikonfirmuar angazhimin për bashkëpunim të ngushtë në realizimin e investimeve dhe reformave që synojnë rritjen e sigurisë energjetike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe modernizimin e sektorit të energjisë në Kosovë.